Anomalia e barbarizmit

Anomalia e barbarizmit

Brutaliteti i terrorizmit islamik ka shumë precendentë

John  Gray

 

Ngritja e ISISit është intensivisht bezidisëse për Perëndimin liberal, dhe jo vetëm për shkak të kapacitetit që grupi xhihadist ka demonstruar për të ndërmarrë sulm terrorist me shumë viktima në një  qytet të madh evropian. Avancimi i grupit turbullon pikëpamjen mbizotëruese perëndimore për botën. Për gjeneratën aktuale të mendimtarëve liberalë, historia moderne është tregim i marshit të civilizimit. Ka pasur momente të regresit, disa prej tyre mizore, por këto janë vetëm rikthime në barbarizmin e së kaluarës, që ndërprejnë një rrjedhë të zhvillimit që në thelb është e mirë. Për këdo që mendon kështu, ISIS nuk mund të jetë veç një anomali e mistershme dhe katastrofale.

Megjithatë, për ata që habiten nga ISISi, nuk mund të jetë vetëm ISIS që është i mistershëm. Njëlloj e mistershme duhet të jetë edhe historia moderne. ISISi ka sjellë me vete shumë sulme mizore ndaj vlerave civilizuese: skllavërimi seksual i grave dhe fëmijëve; vrasja e homoseksualëve; vrasja e shënjestruar e shkrimtarëve, karikaturistëve dhe çifutëve; masakër në një koncert roku; dhe një përpjekje për gjenocid ndaj jezidëve. Të gjitha këto akte të barbarizmit kanë precedentë modernë, shumë prej tyre qysh në shekullin e kaluar. Përdorimi i dhunës seksuale si strategji ushtarake u pa gjatë spastrimit etnik në Bosnje në të nëntëdhjetat; gjatë luftës për pavarësi në Bangladesh më 1971; në Nepal, Kolumbi, Sudan, Republikën Demokratike të Kongos, dhe në shumë zona tjera të konfliktit. Shkatërrimi i ndërtesave dhe veprave të artit, të cilin ISISi e ka bërë mes tjerash në qytetin antik të Palmirës, ka disa precedentë të shekullit të njëzetë. Bolshevikët e Vladimir Leninit rrafshuan kisha dhe sinagoga në Rusi. Mao Zedongu demoloi pjesë të mëdha të trashëgimisë arkitektonike kineze dhe shumicës së asaj të Tibetit, përderisa regjimi i Pol Potit shkatërroi pagoda dhe tempuj dhe pati synim të shkatërronte qytetet e vendit. Në këto vepra shekullare të ikonoklastisë, qëllimi ishte shfuqizimi i së kaluarës dhe krijimi i shoqërisë së re prej “vitit zero” – një ide që shkon pas te “viti një” i kalendarit të paraqitur në Francë më 1793 për të shënuar një epokë të re të inauguruar nga Revolucioni Francez. Duke shkatërruar sistematikisht jo vetëm relikët para-islamike por edhe ato vendndodhje që gjatë njihen si islamike, synimi i ISISit nuk paraqet ndonjë dallim thelbësor.

ISIS as nuk është aq i ndryshëm në përdorimin e saj metodik të terrorit si mjet për konsolidimin e pushtetit. Në telegramin e tij “Urdhër për Varje” të 11 gushtit, 1918, Lenini i udhëzonte komunistet që të ekzekutonin fshatarët e pabindur me varje publike: “Kjo duhet të arrihet në aso mënyre që njerëzit me qindra kilometra përreth të shohin, të dridhen, ta dinë, dhe të piskasin.” Që në fillimet e saj dhe përgjatë një pjese të madhe të ekzistencës, shteti sovjetik mbështetej në frikë për të mbajtur pushtetin. Gjyqet e montuara të 1930-ave përcollën një pedagogji bolshevike e cila kishte për qëllim të nguliste dëgjesë përmes terrorit spektakolar. Përkundër kësaj, sistemi qëndroi për gati një treçerekshekulli, shumicën e kohës me mbështetje të bëshme nga Perëndimi. Patjetër që regjimi kishte të meta, disa prej tyre të shëmtuara, por këto konsideroheshin si trashëgimi të despotimizmit carist dhe aziatik. Një vështrim më i kënaqshëm do të ishte se krimet sovjetike erdhen kryesisht prej zbatimit të traditës moderne evropiane të përdorimit të terrorit për të rimodeluar shoqërinë, që del në pah me jakobinët pas Revolucionit Francez, të cilin Lenini e ndiqte haptas. Por ky vështrim është marrë rrallë në konsideratë.

judith_beheading_holoffernes_caravaggio

Caravaggio, Judith Beheading Holofernes, c.1598

Për ata të cilëve iu duket e habitshme ngritja e ISISit, shumë prej shekullit të kaluar mund të jetë vetëm një prapavajtje prej jetës moderne. Bile edhe regjimi i cili shkaktoi krime pa precedentë në histori duhet të konsiderohet si shembull i atavizmit: shteti nacist shpesh është përshkruar si ta ketë kthyer Evropën në Kohët e Errëta. Sigurisht që nacistët shfrytëzuan një demonologji të krishterë mesjetare në përsekutimin dhe gjenocidin ndaj çifutëve, por nacizmi u thirr poashtu në një pseudoshkencë moderne të racës për të legjitimuar këto mizori. Duke u thirrur në një darvinizëm të rremë, racizmi nacist mund të ishte shfaqur vetëm në një kohë të formuar nga shkenca. Nacizmi qe modern jo vetëm në metodat e saj të vrasjes, por gjithashtu në mënyrët e të menduarit.

Kjo është jo për të përsëritur pohimin – të bërë nga teoricienët marksistë të Shkollës së Frankfurtit – se mendimi shkencor modern çon, përmes një udhe qarkore, por të paevitueshme, te Nacizmi dhe Holokausti. Kjo është për të sugjeruar se kur thirret në politikë, moderniteti është pjellë e imagjinatës. Shumëzimi i dijës në shekujt e fundit është qartazi i dukshëm, siç është edhe zgjerimi i pushtetit njerëzor përmes teknologjisë. Këto përparime janë grumbulluese dhe përshpejtuese dhe, në cilindo skenar realist, pratktikisht të pakthyeshme. Por në politikë ka pasur disa përparime të ngjashme. Avancimi i shpejtuar i shkencës dhe teknologjisë në dy-tre shekujt e kaluar nuk ka shkuar sipas ndonjë përparimi të krahasueshëm të civilizimit a racionalitetit njerëzor. Në vend të kësaj, shumëzimi i dijes ka ndërvepruar vazhdimisht me konfliktet dhe pasionet njerëzore për të prodhuar lloje të reja të barbarizmit.

Duke përdorur teknologjitë më të përparuara për të demonstruar shkeljen që i bën normave të civilizuara, ISIS na paraqitet si një formë qartësisht moderne e barbarizmit. Sigurisht, grupi shfaq tipare të dallueshmërisë. Sulmet e Parisit tregojnë që, më shume se cilido tjetër grup xhihadist, ISIS ka kapacitetin për të shkrirë terrorizmin me luftën gurerile në një strategji të bashkuar. çdo humbje që ISIS ka në fushëbetejat e Sirisë dhe Irakut ka gjasë të ndjellë sulme të tjera mbi popullatat civile në qytetet e Perëndimit. ISISi do që të veçohet nga grupet tjera xhihadiste në publicitetin e mizorive përmes përdorimit të sofistikuar të mediave elektronike. Duke aplikuar teknikat e prezentuara në një manual, Administrimi i Egërsisë (The Management of Savagery), i publikuar online më 2004, këto mizori zbatohen përmes një strategjie të planifikuar me kujdes (e cila ka zgjuar kritikë nga Al Qaeda, prej së cilës ISIS ka dalë si ‘spin-off’). Përsëri, ISIS dallon nga grupet tjera xhihadiste për shkak të mungesës së kërkesave specifike. Përderisa Al Qaeda synon të detyrojë SHBA-të që të tërhiqen nga Lindja e Mesme, ISIS është e dedikuar që të shkatërrojë rendin botëror ekzistues – një qëllim i cili tregon se grupi është më shumë eskatologjik në botëkuptimin e tyre se sa rivalët e tyre xhihadistë. Të gjitha prej këtyre tipareve tregojnë qartë që ISIS nuk është tjetër pos modern. Duke qenë një kartel transnacional i krimit, një lëvizje kulti apokaliptike që zgjerohet me shpejtësi, dhe një rrjet botëror i terrorit, ISISi mund të ishte shfaqur vetëm nën kushtet moderne të globalizimit.

Teoritë e modernizmit kanë një formë të përbashkët: vetëm një tip i shoqërisë mundet vërtet të plotësojë nevojat e një shoqërie të bazuar në inovacion të vazhdueshëm shkencor dhe teknologjik. Telashja është se këto teori speficikojnë tipe të papërputhshme të rendit social dhe politik. Sociologu i shekullit të nëntëmbëdhjetë Herbert Spencer besonte se vetëm kapitalizmi laissez-faire mund ta kalojë provimin. Për kontrast, ndjekësja e dikurshme e Spencerit, sociologia Beatrice Webb, besonte se një lloj kolektivizmi i parafiguruar në Rusinë e Stalinit ishte etapa e ardhshme në zhvillimin modern. Në ditët tona, edhe neokonzervativët edhe progresivët kanë pranuar pikëmapjen e ngritur nga Francis Fukuyama se vetëm “kapitalizmi demokratik” mund të kënaqë nevojat moderne – një prognozim që ka gjasë të mos jetë hiç më mirë i mbështetur. Moderniteti në politikë është një specie e fantomit, vazhdimisht dredhues sepse është vazhdimisht në mutacion.

Ndjekja e kësaj fantazme ka ngjizur shkatërrimtaren “luftë mbi terrorin”. Rrjedha e luftës në Irak ilustron disa prej pasojave. Pasojat në Perëndim, që përfshinë një shpërdorim kolosal të resurseve dhe rikthimin e praktikës barbare të torturës nga adminstrata e Bushit, tashmë janë të ditura. Më pak i kuptuar është fakti se fatkeqësia në Irak rodhi jo vetëm prej gabimeve në politika (disa prej tyre, groteske) por prej përpjekjes për ta ribërë vendin në demokraci. Shteti i Irakut u ndërtua nga provincat e Perandorisë Osmane nga britanikët duke zbatuar strategjinë përçaj-dhe-sundo që do të thoshte se qeverisja e Irakut asnjëherë nuk mund të ishte demokratike. Njëri nga arkitektet kryesore të shtetit, oficerja koloniale, dhe arkeologia britanike Gertrude Bell, shkruante: “Nuk dyshoj në asnjë moment se autoriteti përfundimtar duhet të jetë në duart e sunitëve, përkundër inferioritetit të tyre numerik. Përndryshe do të keni një shtet teokratik të udhëhequr nga muxhtahidët (mujtahid), që është vet dreqi.” E formuluar rreth tetëdhjetë vjetë para sulmit amerikan, analiza e Bellit është konfirmuar me bollëk nga ngjarjet që pasuan.

Pushtimi që rrëzoi Saddam Husseinin në prill të 2003 shkatërroi shtetin e Irakut. Kjo ndodhi pjesërisht për shkak të politikave të fuqisë pushtuese, siç ishte shpërbërja e ushtrisë së Irakut në maj 2003, një vepër bizarre që do të kishte pasoja të gjëra. Një arsye më themelore qe fakti se integriteti i shtetit ishte në duart e hegjemonisë sunite, të cilin e zhbëri okupimi. Iraku ishte një shtet multietnik dhe multisektar i mbajtur së bashku përmes forcës. Vetëqeverisja për “popullin e Irakut” ishte e pamundur, meqë diçka e tillë as që kish ekzistuar ndonjëherë. I vetmi rezulat realist i imagjinueshëm i ndryshimit të regjimit ishte shpërbërja e dhunshme e shtetit.

Që prej pushtimit amerikan, tri shtete janë shfaqur në Irak: Shteti Islamik (siç quhet ndonjëherë njësia territoriale e ISISit), që qeveriset sipas interpretimit ekstrem të Islamit; një de facto shtet kurd në veri të vendit; dhe një shtet shiit me qendër në Bagdad, që operon në një zonë të zgjeruar të influencës iraniane në atë çfarë mbetet nga shteti historik i Irakut. Prej të treve, vetëm ai i kurdëve mund të thuhet se është diçka sikur demokracia shekullare moderne të cilën do të duhej ta instalonte ndryshimi i regjimit. Në shumicën e Irakut, rezultati i përpjekjes për të instaluar demokraci ka qenë fuqizimi i teokracisë – ashtu siç kishte parashikuar Bell.

Iraku i Saddamit ishte i qeverisur sipas ideologjisë së Baathizmit, një besim shekullar dhe modernizues ku një pararojë revolucionare përdor shtetin për të shtyrë progresin në shoqëri. Lidhje të qarta mund të gjurmohen mes shkatërrimit të Irakut Baathist dhe ngritjes së ISISit. Shpërbërja e ushtrisë ofroi burim rekrutimi për komandantët e ISISit, përderisa shkërmoqja pasuese e shtetit krijoi zona të anarkisë në të cilat ISISi mund të zgjerohej. Pa pushtimin amerikan të Irakut, ISIS sipas të gjitha gjasave nuk do të ekzistonte. Efekti i ndërrimit të regjimit në Irak ishte të shkaktërronte një despotizëm shekullar modern dhe të fuqizonte një lloj teokracie që është poashtu moderne. Ideologjia e ISISit është një verzion i vahabizmit, një lloj fondamentalizmi sunit, së tepërmi represiv, që u zhvillua përgjatë shekullit të tetëmbëdhjetë në një regjion që tash njihet si Arabi Saudite. Fondamentalizmi lëngon për pastërtinë e humbur të një të kaluare imagjinare. I adoptuar si fe zyrtare në themelimin e shtetit të tashëm Saudit më 1932 dhe i promovuar nëpër botë në dekadat e fundit duke përdorur pasurinë e naftës së mbretërisë, idetë vahabiste kanë qenë mjete te fuqishme të rekrutimit të grupeve xhihadiste në shoqëritë ku ka pasur nërprerje të modeleve t


e trashëguara të jetës.

Duke u bazuar në traditat apokaliptike të islamit mesjetar, ISISi shpërfaq shumë afërsi me lëvizjet millenariste që shkretuan Evropën në Mesjetën e vonë. Kjo nuk e bën ISISin rishfaqje të besimeve dhe vlerave mesjetare, se historia moderne gëlon me lëvizje të shtyra prej miteve apokaliptike. Siç argumenton Norman Cohn në veprën e tij madhore Ndjekja e Mijëvjeçarit (The Pursuit of the Millennium), lëvizjet totalitare të shekullit të njëzetë u ushqyen nga verzionet shekullare të miteve për kiametin. Cohn e aplikoi analizën e tij kryesisht mbi komunizmin dhe nacizmin, por ngjarjet e fundit sugjerojnë se mund të aplikohet edhe më gjërë. Që nga kultet amerikane të pjatës fluturuese e te kulti bioterrorist Aum Shinrikyo në Japoni, ka pasur shumë shembuj të levizjeve që kanë rimodeluar besimet apokaliptike mbi terma surrogat-shkencorë. Edhepse besimet e saj eskatologjike janë qartësisht religjioze, ISIS është shembulli më i fundit i një fenomeni modern periodik.

Peter_Paul_Rubens_Massacre_of_the_Innocents

Peter Paul Rubens, Massacre of the Innocents, 1611-12

Përderisa shumëçka mbetet e panjohur, nuk ka asgjë të mistershme në ngritjen e ISISit. Është habitëse vetëm për ata që besojnë – përkundër gjithçkasë që ndodhi në shekullin e njëzetë – se modernizimi dhe civilizimi përparojnë krahë për krahë. Në fakt, tash sikur edhe në të kaluarën, disa nga lëvizjet më moderne janë nga më barbaret. Por, të pranosh këtë do të thotë të heqësh dorë nga besimi politik dominant, një formë e kalbur e liberalizmit pa të cilin liderët dhe opinionistët perëndimorë do të ishin të çorientuar dhe të humbur. Të pranohet që shoqëritë liberale mund të mos jenë në “anën e duhur të historisë” do t’i shterte jetët e tyre nga domethënia, gjersa përgjigjja stoike – që është e gatshme të luftojë duke qenë dyshuese për fitoren përfundimtare – duket të jetë përtej fuqive të tyre. Me hutimin dhe dëshpërimin në rritje, ata kacaviren pas besimit se, disi, rrjedha normale e historisë ka dalë përkoësisht nga binarët.

Është para së gjithash ky besim që ka nxitur ndërhyrjet e Perëndimit  në vendet si Iraku, Libia dhe Siria. Vendimi për të rrëzuar Muammar Qaddafin më 2011 ka shpënë Libinë në një vrimëferri anarkike të luftuar nga grupet rivale xhihadiste, duke nxitur rrjedha të migrantëve drejt Evropës – disa prej të cilëve sigurisht duhet të jenë vetë xhihadistë. E megjithatë Perëndimi ka vazhduar përpjekjet për të sajuar përmbysjen e Bashar al-Assadit në Siri – një projekt që do të krijonte anarki në përmasa edhe më të mëdha. Vetëm kur ndodhën sulmet në Paris, qeveritë perëndimore filluan të pranonin se të merresh me ISIS-in kërkon një koalicion forcash që perfshin ushtrinë e Assadit dhe forcat ajrore ruse. Bile edhe tash, ata vazhdojnë të insistojnë që Siria mund të kthehet në formën e saj historike duke u rindërtuar si forcë demokratike nën pushtetin e “forcave të moderuara.” E megjithë këtë, në atë masë që këto forca në fakt ezkstojnë, ato janë të vogla në numër, të përçara mes tyre, dhe të paafta për të luftuar ISISin dhe Assadin në të njejtën kohë. Sikur edhe në Irak dhe Libi, ndërrimi i regjimit në Siri do të prodhonte pashmangshmërisht kolapsimin e shtetit, duke bërë ISISin përfituesin e anarkisë pasuese.

Duke gjykuar përmes çfarëdolloj arsyetimi strategjik, Perëndimi del të ketë shpërfaqur marrëzi të pafund. Të pushtosh një vend, të çmontosh institucionet e tij, të krijosh një shtet të dështuar, të ikësh prej kaosit pasues, dhe pastaj të kthehesh me fushata të pambarimta të bombardimit është imbecilitet i një rangu me pak ose hiç paralele historike. Të ngulmosh në këtë sjellje pas kaq shumë katastrofash tregon diçka më shumë se sa imbeciliteti i dukshëm, sado ekstrem që të jetë. Sjellja e këtij lloji duket më shumë si verzion ekstrem i disonancës kognitive – përpjekje për të dëbuar prej mendjes faktet shkatërrimtare. Përmes përpjekjes obsesive për të ribërë botën sipas një shëmbëlltyre të idealizuar të shoqërive të tyre, liderët e Perëndimit kanë braktisur sensin e realitetit. çdo orvatje, vetëm sa rikonfirmon faktin e impotencës së tyre. Duke iu bindur një lloji të shtysës për të përsëritur, ata e kanë gjetur veten duke u kthyer përsëri e përsëri në aktualitetin kokëfortë të cilin duan aq ankthshëm ta shmangin.

Mënyra ekzistuese e mendimit liberal filtron çfarëdo fakti që mund ta trazojë qetësinë e mendjes së tij. Një fakt i tillë është se rrëzimi i despotëve nuk rrit domosdo lirinë. Po që se jeni grua, homoseksual, a anëtar i një pakice fetare, apo dikush që nuk ka fe, a jeni më të lirë tash në Irak, Libi apo shumicën e Sirisë se sa që ishit nën diktaturën e Sadamit, Qaddafit, apo Assadit? Sheshit, ju jeni shumë më pak të lirë. Një fakt tjetër  i parehatshëm është se tiranët janë shpesh të popullarizuar. Sipas liberalëve të sotëm, kur masa të mëdha njerëzish grumbullohen për të përkrahur tiraninë, nuk mund të jetë për shkak se njerëzit nuk duan të jenë të lirë. Ata duhet të jenë të alienuar nga natyra e tyre e vërtetë si qenie njerëzore. Të lindur liberalë, qeniet njerëzore bëhen çkado tjetër si rezultat i kushtëzimeve sociale. Vetëm represioni kulturor dhe politik pengon vlerat liberale për t’u bërë mënyrë universale e jetës.

Kjo teke e çuditshme metafizike shtrihet prapa teorisë në modë se kur njerëzit lënë vendet e përparuara për t’iu bashkuar ISISit, këtë e bëjnë sepse ata iu janë nënshtruar një procesi të “radikalizimit.” Por kush i radikalizoi dhjetëra miliona evropianë që iu vërsulen nacizmit dhe fashizmit në vitet mes dy luftërave? Katastrofa që pasoi nuk ishte rezultat i propagandës së mençur, edhe pse ajo padyshim që luajti rol. Evropa e mes dy luftërave tregon se sa shpejt dhe lehtë mund të trazohet dhe shkatërrohet jeta e civilizuar nga impakti i luftës dhe krizës ekonomike.

Civilizimi nuk është pika përfundimtare e historisë moderne, por një varg i interludeve të spazmave të përsëritura të barbarizmit. Civilizimi liberal që mbizotëron që disa shekuj në disa prej vendeve të Perëndimit u shfaq ngadalë dhe me vështirësi kundrejt një prapavije të një përzierje të veçantë traditash dhe institucionesh. E pasigurt kudo që ka ekzistuar, është një mënyrë jete që nuk ka pushtet të fortë mbi njerëzimin. Për një gjeneratë më të vjetër të mendimtarëve liberalë sikur Alexis de Tocqueville dhe Isaiah Berlin, këto ishin të qena. Sot, këto truizma janë të vërteta të ndaluara, të cilat nuk mund të thuhen më, dhe në shumë raste as edhe të kuptohen.

Civilizimi liberal nuk është domethënia e shfaqur e botes moderne por singularitet historik që është fragjil në thelb. Kjo është arsyeja se pse ia vlen të prezervohet. Të mbrosh këtë formë jetesë kundrejt ISISit kërkon një përceptim të qartë se grupi xhihadist nuk është një forcë ataviste që – me pak asistencë nga bombardimet e intensifikuara – do të venitet me modernizimin përparimtar. Për kërcënimin që të largohet, ISIS do të duhet të mposhtet dhe shkatërrohet.

Arsyetimi naiv që hedh poshtë çfarëdo ndërhyrje ushtarake në bazat se intervenimet e mëhershme qenë kontraproduktive, dështon për të kuptuar përmasat e sfidave që parashtron ISISi tash. Sulmet e Parisit, të cilat duken të kenë qenë reagime për humbjet në terren, tregojnë se shteti që ka krijuar ISISi nuk mundet thjesht të frenohet. As që mund të thuhet se frenimi do të ishte i mjaftueshëm në terma etikë, meqë ISISi ka shpërfaqur kapacitet për gjenocid. Por synimi nuk duhet të jetë zëvendësimi i totalitarizmit teokratik të ISISit me një kopje të demokracisë liberale – një projekt deluzional i cili ka ndërsyer ato forcat të cilat tani na kanë rrethuar. Një shtet funksional që ka një masë të arsyeshme të mbështetjes vendore dhe i cili do të mund të ruante paqen, do të ishte një qëllim mjaftueshëm sfidues për politikat Perëndimore.

Se a është Perëndimi i gatshëm për këtë është e paqartë. Vështirësitë praktike janë të frikshme. Pas fiaskos në Irak, vendosja e një numri të madh trupash në tokë duket vështirë e mundshme për cilëndo qeveri Perëndimore, përderisa fuqitë regjionale të cilat nevojitet të jenë pjesë e çfarëdo aksioni të përbashkët ushtarak – Turqia, kurdët, sauditët, dhe Irani – po ndjekin qëllimet dhe rivalitetet e tyre. Rusia, gjithashtu, ka agjendën e saj. çdonjëri është i kërcënuar nga ISISi, por asnjëri nuk e ka luftimin prioritet.

Vështirësitë intelektuale janë edhe më të mëdha, dhe mundësisht të patejkalueshme. Për shumicën në Perëndim, kërcënimi që paraqet ISISi ndaj botëkuptimit të tyre duket katastrofë më e madhe sa sa mizoritë që ka shkaktuar ISIS, dhe të cilat kërcënon t’i përsërisë. Habia me të cilën Perëndimi i qaset këtij grupi është simptomë e pleqërisë së mendjes liberale, një gjendje për të cilën nuk ka ilaç. Mbase çfarë i mungon kulturës tonë, në fund të fundit, është aftësia për ta kuptuar vetvetën.

*John Gray është filozof politik dhe autori i njëzetegjashtë librave të përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë. Ai është profesor emeritus i mendimit evropian në London School of Economics. Libri i tij më i fundit është Shpirti i Marionetës: një Hulumtim i Shkurtër mbi Lirinë Njerëzore (The Soul of the Marionette: A Short Inquiry into Human Freedom.)

Publikuar ne sbunker me 19 prill 2016

Artikulli origjinal i publikuar në edicionin e pranverës 2016, në Lapham’s Quarterly