Pse tregjet tallen me ne

Cass R. Sunstein

 

artikulli i botuar ne sbunker

Shumë pak ekonomistë e parashikuan recesionin e 2008-2009. Pse jo? Për shumë kohë ekonomistët kanë supozuar që qeniet njerëzore janë “racionale,” por gjetjet bihejviorale (që ka të bëjë me sjelljet) për gabueshmërinë njerëzore kanë sfiduar dukshëm këtë supozim. Njerëzit priren të kenë vetëbesim të tepruar; ata shfaqin optimizëm jorealist; shpesh ata s’dijnë si të sillen me rreziqet; ata e mospërfillin afatgjatën (“paragjykimi i së tashmës”); dhe i kanë zët humbjet më shumë se sa që iu pëlqejnë fitimet e barasvlershme (“neveria e humbjes”). Dhe deri në vitet e fundit, shumica e ekonomistëve nuk kanë thënë edhe aq për problemin e pabarazisë, që duket se po përkeqësohet.

Ka një argument të fortë se brenda profesionit të ekonomisë, këto probleme janë të ndërlidhura ngusht, dhe se kanë pasur ndikime fatkeqe mbi politikat publike. Shumica e ekonomistëve iu gëzohen tregjeve të lira, duke u thirrur te ideja joshëse e sovranitetit të konsumatorit. Nëse njerëzit blejnë patate të skuqura, karamele, dhe birrë, apo bëjnë investime të rrezikshme, ajo është punë e tyre; ata i dijnë vlerat dhe shijet e tyre. Të tjerët, e sidomos ata që punojnë për qeverinë, nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë. Sigurisht, gërat janë ndryshe po që se dikush i shkakton dëm palëve të treta. Nëse një kompani emiton ndotje, qeveria mund të përgjigjët me legjitimitet. Por në të kundërtën, shumë ekonomistë priren të besojnë se njerëzit duhet t’ia dalin mbanë vet.

Është e vertetë që kompanitë mund të përpiqen që të përfitojnë nga konsumatorët dhe investitorët, ndoshta edhe me rrena të pastra, mbase edhe me forma më delikate të mashtrimit, apo ndoshta duke manipuluar emocionet. Por nga pikëvështrimi i mendimit standard ekonomik, këtu s’ka asgjë për të panikuar. Kompanitë të cilat gënjejnë, mashtrojnë dhe manipulojnë njerëzit, nuk do të zgjasin shumë. Vija e dytë e mbrojtjës është ligji. Nëse një kompani është vërtet e përfshirë në hile dhe mashtrime, rregullatorët qeveritarë do të duhej të nderhynin, dhe konsumatorët kanë shume gjasë të fitojnë të drejtën e kompenzimit. Por për ekonomistët, tregjet konkuruese janë përgjithësisht të besueshme, dhe kështu thënia e vjetër latine e ruan rëndësinë e saj: caveat emptor.

Duke i vënë theksin gabueshmërisë njerëzore, grupi i studiuesve të njohur si ekonomistë bihejvioralë kanë ngritur shumë dyshime në lidhje me këtë pikëpamje. Katalogu i tyre i gabimeve në anën e konsumatorëve dhe investitorëve mund të merret si identifikues i një game të “dështimeve bihejviorale të tregut”, ku secila prej tyre kërkon një lloj përgjigje nga qeveria (sikurse fushatat e informimit për të promovuar të ushqyerit e shëndetshëm apo vërejtjet grafike për të shkurajuar pirjen e duhanit). Por George Akerlof dhe Robert Shiller duan të shkojnë përtej eknomisë bihejviorale, të paktën në formën që është tash. Ata ofrojnë një llogari shumë më të përgjithshme, dhe paraljmëruese, se pse tregjet dhe konkurrenca shkaktojnë probleme serioze.

Edhe Akerlof edhe Shiller kanë fituar çmimin Nobel; ata radhiten mes ekonomistëve më të rëndësishëm të gjysëmshekullit të kaluar. Ata janë poashtu renegatë intelektualë. Akerlof ka qenë i interesuar për këmbënguljen e sistemve të kastave, papunësinë e pavullnetshme, “rat races” [mosqenia në gjendje për t’iu gëzuar rritjes së prosperitetit ekonomik dhe rritjes së standardit të jetesës], pasojat e identitetit personal, dhe çfarë ndodh kur shitësit dinë gjëra që blerësit s’i dinë. Për një kohë të gjatë ka qenë ithtar i harmonizimit të psikologjisë me ekonominë. Si specialist në sistemin financiar, Shiller ka eksploruar rolin e “bollëkut irracional”  në shkaktimin e çmimeve çmendurisht të fryra të të mirave, letrave me vlerë dhe pasurive të patundshme, të cilat janë të detyruara të ulen. Ai beson se investitorët bëjnë gabime serioze, dhe poashtu që ata ikin me të madhe, gjë që mund të prodhojë ballona [zhvillim ekonomik i izoluar]. Sikurse Akerlofi, ai është fort i interesuar të kuptojë se si psikologjia mund t’i ndihmojë teorisë ekonomike.

Akerlof dhe Shiller besojne se po e kuptuam psikologjinë njerëzore, ne do të ishim shumë më pak të ngazëllyer për tregjet e lira dhe shumë më të brengosur për efektet e dëmshme të konkurrencës. Sipas tyre, kompanitë eksploatojnë dobësitë njerëzore jo pse ato janë domosdoshmërisht të liga apo të korruptuara, por sepse detyrohen nga tregjet. Ata që dështojnë së eksploatuari njerëzit do të humbin nga ata që e bëjnë këtë. Duke argumentuar ashtu, Akerlof dhe Shiller kundërshtojnë punën ekzistuese të ekonomistëve dhe psikologëve bihejvioralë sepse sipas tyre ata vetëm se ofrojnë një listë të gabimeve njerëzore, kur ajo çfarë kërkohet është një llogari me e gjërë se si dhe pse tregjet prodhojnë dëme sistemike.

Akerlof dhe Shiller përdorin fjalën “phish” që nënkupton një formë të qoshëzimit, përmes së cilës ‘phishermen’ (prej këtu peshkatarët)(siç janë bankat, kompanitë e barnave, agjentët e pasurive të patundshme, dhe kompanitë e cigareve) i shtyjnë ‘phools’ (prej këtu budallenjtë) (siç janë investitorët, njerëzit e sëmurë, pronarët e shtëpive dhe duhanpirësit) që të bëjnë gjëra që janë në interes të peshkatarit por, jo të budallenjve. Ka dy lloje të budallenjve: ata informacionalë dhe ata psikologjikë. Budallenjtë informacionalë viktimizohen përmes deklarimeve faktike (“është një shtëpi e vjetër, vërtet, por i duhen vetëm ca riparime të vogla”). Më interesantë janë budallenjtë psikologjikë, që humbin rrugën ose nga emocionet e tyre (“investimi mund të më bëjë të pasur brenda tre muajve!”) ose nga paragjykimet kognitive (çmimi i pasurive të patundshme është ngritur gjatë 20 vjetëve të kaluara, kështu që me siguri që do të ngritet edhe në njezët vjetët e ardhshme”).

Akerlof dhe Shiller janë të vetëdijshëm se skeptikët do t’i marrin përshkrimet e tyre të qenieve njerëzore si “budallenj” të jenë të pasakta dhe si jashtëzakonisht mospërfillëse. Përgjigjja e tyre është se njerëzit marrin plot vendime të gabuara, duke prodhuar rezultate të cilat s’mund t’i dojë kush. Sipas pikëpamjes së tyre, peshkimi i budallenjve “është shkaku kryesor i krizave financiare që çoi te recesionet më të thella. Plot njerëz ndërmarrin rrëziqe serioze shëndetësore nga mbingrënia, alkooli, dhe duhani, duke shkaktuar qindra mijëra vdekje të parakohshme për çdo vit vetëm në Shtetët e Bashkuara. Akerlof dhe Shiller mendojne se është qesharake të besohet që këto vdekje janë rezultat i vendimeve të arsyeshme. Shumë njerëz ballafaqohen me pasiguri molisëse financiare, kryesisht si rezultat i vendimeve të tyre të gabuara, të nxitura nga peshkatarët. Vet qeveria e keqe është produkt i “peshkimit” dhe “budallallëkut”, për shkak se “ne jemi të prirur të votojmë për personin që na bën të ndihemi më rehat,” edhe kur vendimet e atij personi blehen rregullisht nga interesa të veçanta.

Në një përmbysje të Adam Smithit, Akerlof dhe Shiller shpallin argumentin se dora e padukshme e tregut garanton “peshkimin”. Shikoni Cinnabonin, motoja e shkëlqyeshme e së cilës është “Jetës i duhet kremosja,” dhe e cila tërheq konsumatorët me një erë joshëse (dhe e cila nuk e ka bërë të lehtë që informacionet kalorike të gjenden në produktet e saj). Ose merrni klubet e shëndetit, një industri 22 milionë dollarëshe me mbi 50 milionë konsumatorë, shumë prej të cilëve zgjedhin kontrata të shtrenjta mujore, edhe pse do të mund të kursenin shumë para po të paguanin për çdo vizitë. Në fakt, ata po paguajnë për të mos shkuar në palestër.

Cinnabon

Duke iu referuar shembujve të tillë, Akerlof dhe Shiller propozojnë që njerëzit mund të parafytyrohen të kenë dy lloje shijesh: ata që vërtet  e përmirësojnë jetën e tyre, dhe ata që përcaktojnë se si në fakt ata zgjedhin. Sipas tyre, kjo e fundit – e ndikuar nga një lloj “papagalli mbi shpatull” që merr vendime të këqija – shpesh mbizotëron. Problemi është se sikur përmes një dore të padukshme, kompanitë “të shtyrë nga vetë-interesi i tyre do të kënaqin shijet e papagallit mbi shpatull.”

Për të mbështetur këtë pohim, Akerlof dhe Shiller tërheqin vëmendjen të një parashikim i çuditshëm i Maynard Keynesit në vitin 1930. Keyenes supozonte se deri më 2030, standardi i jetesës do të ishte tetë herë më i lartë. Ne jemi në rrugën e duhur për t’iu afruar këtij parashikimi. Në të njejtën kohë, Keynes bëri një gabim themelor. Ai parashikonte se ditët e punës do të shkurtoheshin në pesëmbëdhjetë orë në javë dhe që njerëzit do të mundoheshin jo nga problemet financiare, por nga teprica e kohës së lirë. Kjo nuk do të ndodhë. Ajo çfarë Keyenesi anashkaloi është fakti se tregjet e lira gjenerojnë dëshira të reja. Me fjalet e Akerlofit dhe Shillerit, tregjet “nuk prodhojnë vetëm atë që ne duam, ato poashtu prodhojnë atë çfarë duam sipas shijeve të papagallit tonë mbi shpatull.”

Peshkatarët e dinë se si t’i stimulojnë tundimet, duke gjeneruar kështu “nevoja” fisnike. Për çdo dobësi njerëzore, dora e padukshme do të prodhojë peshkatarë, të cilët do të eksploatojnë budallenj – që do të thotë se orët e gjata të punës, vështirësitë për t’ia dalë në krye, do të vazhdojnë të jenë me ne edhe po që se standardi i jetesës rritet për tetë herë përsëri (dhe përsëri).

Akerlof dhe Shiller pranojnë se të kuptuarit e peshkimit (phishing) dhe budallallëkut (phoolishness) ndihmon në të spjeguarit e krizës financiare të 2008-2009. Sipas tyre, zanafilla e krizës qëndron te “subverzioni i sistemit për cilësimin e sigurimeve të rrogave fikse”, sikurse letrat me vlerë. Për një kohë të gjatë, publiku u konsultua për cilësimet e sigurimeve nga agjencia e krediteve të SHB në mënyrë që të vlerësojë mundësinë e bankrotimit. Deri në të nëntëdhjetat, këto cilësime mund të besoheshin. Një arsye ishte se sigurimet ishin të thjeshta për t’u vlerësuar. Tjetra është se agjencitë e kredive i shmangëshin konflikteve të interesit. Por kur këto agjenci morën përgjegjësëin e cilësimit të sigurimeve jashtëzakonisht komplekse, mbi të gjitha derivativat financiare, investitorët nuk ishin më në gjendje të dinin se a ia vlen t’u besohet agjencive. Rreth së njejtës kohë, u shfaqën konflikte serioze të interesit, përderisa agjencitë e kreditit filluan të kërkojnë pagesë për cilësimet e tyre nga bankat. Përderisa bankat filluan të paguajnë faturat e cilësuesve, cilësimet nuk mund të besoheshin më. Por për shkak se cilësimet kishin qenë të besueshme më heret, investitorët kujtuan se do të vazhdonin të ishin të besueshme.

Edhe pse investitorët po peshkoheshin (being phished), ata “nuk kishin arsye të ishin dyshues. Atyre iu ishte thënë për mrekullitë e tregjeve të lira.” Por tregjet e lira nuk qenë aq të mrekullueshme, sepse ata i vendosën prodhuesit e sigurimeve të reja, komplekse dhe të rrezikshme në përparësi të madhe mbi prodhuesit e sigurimeve të vjetra, më të thjeshta dhe më të sigurta. Në fund të fundit, sigurimet e reja premtuan rritje të të ardhurave duke i fshehur risqet e bankrotimit.

Përderisa një pjesë e rëndësishme e njerëzve që blejnë letra me vlerë ishin të gatshëm të gëlltisin mitin në tërësi, bankierët kishin një shtysë për të prodhuar ato avokado të kalbura, dhe të nxjerrin prej agjencive cilësime të larta që t’i mbulonin ato.

Kur risku u materializua, i gjithë sistemi u shemb. (Në këtë libër, ata nuk e theksojnë problemin hipotekave subprime (lloj i hipotekave që normalisht bëhet nga huamarrës që kanë kredi më të dobëta), të cilin Shiller e ka elaboruar tjetërku, dhe e cila poashtu ka përfshirë plot peshkim.)

An advertisement for Rolls-Royce from the late 1950s

An advertisement for Rolls-Royce from the late 1950s

Akerlof dhe Shiller mendojnë se ideja e peshkimit ndihmon për të spjeguar reklamat moderne, posaçërisht nëse fokusohemi në rolin kyç të narrativës në mendimin njerëzor. Marketuesit e mençur ofrojnë storie të thjeshta dhe atraktive për produktet e tyre, dhe bëjnë që këto storie të nguliten në mendjen njerëzore. Merrni parasysh reklamën e famshme të Rolls-Royce, që shfaq një nënë te re e elegante në karrigën e shoferit, e kthyer pak drejt fëmijëve të saj elegantë, të cilët ecin drejt makinës prej jashtë hyrjes së një ushqimoreje elegante. Kryetitulli i kopjes: “Në 60 milje në orë, zhurma më e madhe në këtë Rolls-Royce të ri vjen nga ora elektrike.” Reklamat e këtij lloji tregojnë një storie joshëse për jetën që mund të ishte me produktin.

Akerlof dhe Shiller pranojnë se presidentët shiten pak a shumë në të njejtën mënyrë, siç iu thonë “teknikat statistikore moderne marketuesve dhe reklamuesve – si atyre privatë edhe atyre politikë – kur dhe si të peshkojnë, sikurse tenkikat moderne në geologji iu thonë kompanive të gazit dhe naftës ku dhe si të shpojnë. Ata e piketojnë kampanjën Obama të vitit 2012 për përdorimin e testimit statistikor si “një formë të re të artit.” Sipas tyre, kampanjat tash e dinë si të marrin cak “votuesit individ-për-individ”, me ndihmën e teknikave statistikore moderne. Ne do të duhet të presim më shumë veçime të tilla më 2016.

Akerlof dhe Shiller konsiderojnë se dora e padukshme garanton “grabitje,” të cilat janë “toka pjellore për të peshkuar budallenj” Në mbyllje të shitjeve të shtëpive, për shembull, njerëzit ballafaqohen me një grup enigmatik të kostove të transaksionit. Tarifat e komisionerëve të pasurive të patundshme zakonisht shkojnë deri në 6 përqind, dhe shpesh edhe më shumë. Këto dhe kosto të tjera mbivendosen pasi që blerësit të kenë marrë vendimet dhe kur nuk janë në gjendje për të bërë pazar. Akerlof dhe Shiller janë gjithashtu të brengosur që njerëzit shpenzojnë shumë më shumë para me kartat e kreditit se sa me para në dorë. Shitësit i lënë konsumatorët që të përdorin kartat e kreditit pa pagesë, dhe nuk i ngarkojnë me tarifa mbi shitjet të cilat ata i paguajnë kompanive të kartave të kreditit. Për shumë konsumatorë, përdorimi i kartave të kreditit del të jetë një problem i vërtetë, për shkak se ata përfundojnë së paguari shuma të qenësishme për tarifat dhe interesat mbi balancet e papaguara. Siç rezulton, kartat e kreditit janë “një shkak madhor i bankrotimeve personale,” që çon Akerlofin dhe Shillerin te konkludimi se “nëse kartat e kreditit nuk po peshkojnë për budallenj, kompanitë të cilat i furnizojnë ato do të duhej t’iu tregojnë gjykatësit.”

Pse ka aq shumë njerëz që pijnë duhan dhe alkool? Që prej fundit të dyzetave, shkencëtarët po gjenin një asociacion mes duhanpirjes dhe kancerit të mushkërive, së cilës, kompanitë e duhanit, duke u sjellë si peshkatarë, iu përgjigjën me një strategji të posaçme që kish për qëllim të shuante dyshimin. Ata “e dinin se mund të gjenin të tjerë ‘shkencëtarë’ (veçanërisht mes duhanpirësve) të cilët do të deklaronin fuqishëm se nuk nuk ka ndonjë lidhje ‘të vërtetuar’ mes duhanpirjes dhe kancerit.” Rezultati i përpjekjeve të tyre qe sugjerimi me ndikim të “një storieje mbi marrëdhënien mes dunapirjes dhe vdekjes,” një storie që do të theksonte një “polemikë shkencore” serioze. (Ndryshimi klimatik, e keni parasysh?) Ajo storie dështoi eventualisht, por iu deshën dekada, dhe bile edhe tash, gati 18 përqind e të rriturve pinë duhan.

Akerlof dhe Shiller besojnë se dëmet e alkoolit janë shumë të nenvlerësuara. Ata mendojnë se ato dëme “mund të jenë të krahasueshme me dëmet nga cigaret, që e prekin jo vetëm 3 apo 4 përqind të popullatës, si alkoolikë kronikë, por, prekin 15 deri në 30 përqind;  numri i lartë sidomos nëse përfshijmë edhe anëtarët më të prekur të familjes së alkoolikëve.” Akerlof dhe Shiller mbledhin fakte sugjestive se konsumimi i alkoolit shkakton dëme shumë më të mëdha për shëndetin se sa që ne mendojmë. Tema e tyre e zgjeruar është se “studimet për alkoolin kanë fonde të pamjaftueshme,” dhe se pa hulumtimet e domosdoshme, “ne jemi veçanërisht të prirur të peshkohemi për budallenj, përderisa ne nuk mund të dimë nëse e dimë tregimin e duhur.” Sipas tyre, rritjet e qenësishme të taksave federale në etanol (lloj i alkoolit në pijet alkoolike) mund të ketë benefite të mëdha shëndetësore – por industria ka punuar me sukses për të parandaluar rritje të tilla.

Akerlof dhe Shiller ndërtojnë argumente të ngajshme për reklamimet e farmaceutikëve (me referencë të skandali Vioxx), suksesin e Facebookut (i cili, thonë ata, është një bekim i përzier për të rinjtë në veçanti), shitjen e letrave me vlerë “junk”, dhe për procesin demokratik. Për sa i përket kësaj të fundit, ata janë të brengosur për strategjinë e mençur elektorale që zakonisht përdoret për të kapur “votues të peshkueshëm.” Me këtë strategji, politikanët përkrahin politika që “tërheqin votuesin tipik mbi çështjet që janë të rëndësishme për të dhe se ku do të informohet ai,” përderisa në të njejtën kohë ata adoptojnë një “qendrim që i tërheq donatorët” mbi çështjet për të cilat votuesi tipik nuk është i informuar. Për shkak të sistemit të parregullar të donacioneve nga korporatat, lobuesit mund të marrin përfitime spektakolare, përderisa japin para me shpresën e nxjerrjes së votave, apo favoreve, mbi çështje me rëndësi të lartë (sikurse  rregullimi i kompanive të kursimit dhe huave ose pyetjeve shumë teknike për taksat) që janë shumë komplekse për të joshur vëmendjen e shumicës së votuesve.

Prej të gjithë këtyre shembujve, Akerlof dhe Shiller japin një llogari të përgjithshme, që është se peshkimi ndodh për shkak të “manipulimit të fokusit.” Sikur magjistarët dhe hajnat e xhepave, peshkatarët janë në gjendje të përfitojnë nga “fokusi i gabueshem i budallait.” Vërtet, ideja se tregjet e lira funksionojnë dhe se qeveria është problemi “është vetvetiu peshkim për budallenj,” një lloj storie e cila nuk prek realitetin. Përsa i përket reformës së sigurimit social, regulativave të siguriimit, dhe reformës së financimit të kampanjave, Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur nga deklarime të shtrembëruara dhe të rreme të cilat dështojnë të japin llogari për faktin se tregjet e lira i bëjnë njerëzit të lirë jo vetëm të zgjedhin por gjithashtu “të lirë të peshkojnë dhe të lirë të peshkohen. Mosdija e këtyre të vertetave është recetë për katastrofë.”

Akerlof dhe Shiller pranojnë se ekonomistët  bihejviorialë nuk kanë qenë në gjendje të eksplorojnë, e mbase as edhe të shohin, kudondodhshmërinë e të peshkuarit, dhe shkallën në të cilën tregjet e lira e promovojnë. Në vend të një katalogu të gabimeve njerëzore dhe paragjykimeve bihejviorale, ata kërkojnë një llogari më të përgjithshme, e cila do të jepte “një fotografi për kornizat mendore që formësojnë vendimet e njerëzve.” Ajo fotografi përfshin “storiet që ne ia tregojmë vetvetes.” Akerlof dhe Shiller besojnë se ideja e tregimit është “një variabël e re” për ekonominë, që spjegon pse “njerëzit marrin vendime të cilat mund të jenë bukur larg nga maksimizimi i mirëqenies së tyre.” Prandaj “peshkimi për budallenj nuk është ndonjë telashe e kohëpaskohshme. Është e kudondodhshme.” Kurdo që “ne kemi një dobësi – nëse kemi një mënyrë në të cilën ne jemi të peshkueshëm – peshkatarët do të jenë aty duke na pritur.”

Akerlof dhe Shiller ndërtojnë një argument bindës se peshkimi ndodh për shkak të veprimit të dorës së padukshme, dhe jo pavarësisht nga ajo. Nëse një kompani mund të bëjë para duke mashtruar dhe manipuluar njerëzit, dikush do të krijojë një kompani të tillë, dhe ajo do të lulëzojë (në mos e rregulloftë ligji). Dhe po që se lulëzon, kompanitë të cilët nuk mashtrojnë apo manipulojnë njerëzit do të jenë në disavatazh si konkurrues. Natyrisht se ka plot konsumatorë, dhe disa prej tyre do t’i shmangin peshkatarët. Në fakt tregjet do të mund të segmentoheshin në të sofistikuar dhe budallenj, me të parët që i shmangen, dhe të dytët që turren drejt, produkteve komplekse (por të rrezikshme) financiare, tarifave të shtrenjta, duhanit, dhe alkoolit. Në të vërtetë do të ishte më e saktë të merrej parasysh vazhdimësinë e konsumatorëve dhe investitorëve, me nivele të ndryshueshme të ndjeshmërisë ndaj mashtrimit dhe manipulimit. Akerlof dhe Shiller kanë shumë të drejtë kur thonë se peshkimi mund të jetë profitabil.

Në të njejtën kohë, ideja mbetet shumë e mjegullt. Një mënyrë për ta qartësuar do të ishte izolimi i paragjykimeve bihejviorale që do të mund të shfrytëzoheshin prej peshkatarëve. Duke u bazuar në gjetje empirike, ne mund të flasim për budallenj optimistë, budallenj me vetëbesim të tepruar, budallenj që ndjejnë neveri për humbjet, budallenj të pavëmendshëm, dhe budallenj me paragjykim për të tashmen, dhe të pyesim se sa janë në numër, dhe të këqyrim nëse, dhe në çfarë kushte, kompanitë mund të përfitojnë prej tyre. Por siç kemi parë, Akerlof dhe Shiller duan të shkojnë përtej katalogut të paragjykimeve bihejviorale në mënyrë që të gjejnë “një mënyrë më të përgjithshme për të përshkruar kornizat mendore mbi të cilat shtrihen vendimet e njerëzve,” mënyrë e cila, vë në theks storiet që njerëzit i thonë vetes.

Këto storie janë padyshim të rëndësishme, por këtu ka një kundërshtim të mundshëm. Për shkencëtarët socialë, është esenciale të dilet me hipoteza të testueshme. Për shembull, nëse ekonomistët hamendësojnë se çmimi i një artikulli të dhënë rritet, njerëzit do të blejnë më pak nga ky artikull. Ekonomistët bihejvioralë poashtu thonë se kanë testuar, dhe vërtetuar ekzistencën e paragjykimeve. Për shembull, ata kanë gjetur se vendimet e konsumatorëve janë më shumë të ndikuara nga një taksë e vogël (një humbje) se sa nga një subvencion i vogël (një fitim), dhe se mësuesit punojnë më mirë kur punëdhënësit i kërcënojnë ata me humbje se sa kur ata i premtojnë atyre bonuse. Askush nuk duhet të dyshojë se njerëzit ndikohen nga storiet  të cilat ata i tregojnë vetvetes, siç thonë autorët. Por a është kjo hipotezë e testueshme? A çon kjo te parashikime të dalluara, të cilat mund të dalin si të drejta apo të gabuara?

Është rrëmbyese të falasësh për “peshkatarë” dhe “budallenj”, por Akerlof dhe Shiller do të pajtoheshin me siguri, se kur njerëzit marrin vendime që janë të diskutueshme, apo që përfundojnë si mos më keq, ata mund të mos jenë budallenj. Konsumatorët mundet vërtet të shijojnë verën, djalthin, ëmbëlsirat, dhe akulloret, dhe edhe pse këto zgjedhje mund të dalin të pashëndetshme, ne nuk do të duhet të flisnim as për peshkim as për budallenj. Dhe Akerlof dhe Shiller nuk do të shfaqnin mospajtim me propozimin se shume njerëz ushtrojnë vetëkontroll kur vjen puna te rreziqet e mundshme, dhe kur ato vijnë, zgjedhjet e tyre mund të jenë shumë të informuara. Njerëz të tillë vështirë se bëhen budallenj.

Për rastet e hileve dhe mashtrimeve duhet një trajtim i posaçëm, si për rastet kur shitësit janë të pandershëm për gjërat që shesin, apo nuk tregojnë faktet relevante. Nëse një kompani i gënjen njerëzit se një bar i ri do të shërojë kancerin, ne kemi të bëjmë me hile, dhe nëse nuk i informon njerëzit se efekt anësor i barit është dëmi neurologjik, atëherë është e drejtë të flitet për mashtrim.

Akerlof dhe Shiller mund ta kenë kufizuar analizën e tyre te ekonomia e hiles dhe mashtrimit, duke inkurajuar që kategoritë të zgjerohen për të përfshirë (për shembull) produktet komplekse financiare të cilat përmbajnë risqe serioze të cilat investitorët janë të paaftë t’i kuptojnë. Sa ndihmon të flitet për peshkim dhe budallenj? Një përgjigje është se Akerlof dhe Shiller duan të shkojnë përtej hiles dhe mashtrimit për të kapur të gjitha rastet kur shitësit tregtojnë blerësve të mira dhe të cilët nuk përfitojnë nga këto transaksione. Ata nuk harxhojnë shumë kohë duke shpërbërë idenë e “manipulimit,” por duket se këtu ata flasin për njerëzit të cilët mund të peshkohen për shkak se shitësit janë në gjendje të përfitojnë nga emocionet e tyre apo nga paragjykimet e tyre kognitive, duke çuar kështu te transaksione që nuk janë në interesin e blerësve.

fool-cartoon

Kjo është një ide premtuese, dhe për ta përparuar, është më së miri me qenë specifik. Emocionet nuk i çojnë konsumatorët gjithmonë në rrugën e gabuar; njerëzit mund të dinë se ata do të duan të përdorin një kompjuter të ri e të bukur, të hanë një copë çokollatë (a dy), dhe të drejtojnë një makinë të shpejtë. (Jeta ka nevojë për kremosje) Për sa i përket paragjykimeve kognitive, problemit të kostove të larta (që përfshin vështirësinë e manovrimit të kompleksitetit) është ndryshe nga ajo e konsumimit të duhanit (që përfshin varësinë dhe optimizmin jorealist), dhe të dyja nga këto janë ndryshe nga problem i përdorimit të tepërt të kartave të kreditit (që përfshin paragjykimin ndaj së tashmes dhe neglizhimin e kostove kumulative). Po bëmë dallime të tilla njëherë, mund të përfundojmë së foluri jo për peshkimin në përgjithësi, por për dështime të veçanta bihejviorale, dhe të kërkojmë ilaçe që i përshtaten të gjitha këtyre rastave.

Në margjinalet e tij për Diskurset e Sir Joshua Reynold’s, William Blake shkroi, “Të përgjithësosh është të jesh idiot. Të partikularizosh është dallim meritor.” Blake, natyrisht ekzagjeroi, dhe Akerlof dhe Shiller janë më së paku idiotë; libri i tyre i jashtëzakonshëm na tregon diçka të vërtetë, dhe thellësisht të rëndësishme për veprimin e dorës së padukshme. Por pikëpamjet e mëdha mund të humbin fokusin. Nëse kërkojmë të kuptojmë se si gabon dora e padukshme, dhe nëse na nevojitet ndonjë lloj intervenimi, atëherë duhet thënë shumë për të specifikuar mekanizmat dhe për të provuar hipoteza konkrete. Po e bëmë këtë, do të mund të shkonim përtej një liste të thjeshtë, dhe do të gjenim peshkime të llojeve të ndryshme.

Përktheu: Bardhi Bakija

Artikulli origjinal i botuar në The New York Review of Books më 22 tetor 2015.